fbpx

Të gjithë e dimë se jetesa po bëhet gjithmonë e më frenetike. Ritmi i përditshmërisë ndonjëherë është aq i lodhshëm sa mezi presim të “arratisemi” diku për të pushuar disa ditë. Kur kërkojmë qetësi dhe relaks, mendja na shkon natyrshëm tek deti apo liqeni, por ndoshta nuk e kuptojmë arsyen përse ndihemi aq mirë pranë ujit.

Mbi 20 vite më parë nisën të zhvilloheshin studime të shumta për benefitet shëndetësore që sjell koha e kaluar në hapësira të gjelbëruara. Kontakti me natyrën shihej pa dyshim si mënyra më e mirë për t’u relaksuar dhe për të rivendosur paqen e brendshme tek njerëzit. Të qenurit pranë ujit konsiderohej se sillte të njëjtin efekt, por me kalimin e viteve shkencëtarët kanë zbuluar se uji ka një efekt qetësues edhe më të lartë se sa gjelbërimi, e veçanërisht liqeni, i vetmi vend ku qetësia ndjehet, shihet dhe dëgjohet.

Efekti relaksues i ujit është i faktuar dhe jetesa buzë liqenit ofron një burim të vazhdueshëm qetësie përmes tingujve ritmikë të ujit dhe peizazhit, duke ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të stresit. Studime të shumta kanë treguar se të jetosh afër liqenit redukton prodhimin e hormoneve të stresit dhe promovon mirëqenien mendore.

Pra të zgjedhësh të jetosh buzë liqenit nuk është thjesht një stil jetese apo një trend, por një investim për shëndetin dhe një nga përfitimet më të dukshme shëndetësore është cilësia e padiskutueshme e ajrit. Gjelbërimi që rrethon liqenin shërben si një pastrues natyral dhe të thithësh çdo ditë ajër të pastër përmirëson ndjeshëm sistemin respirator, veçanërisht në një kohë kur alergjenët dhe ndotësit janë shtuar ndjeshëm duke bërë që më shumë njerëz të vuajnë nga alergjitë, azma apo çrregullimet e ndryshme respiratore.

Ndër të tjera, jetesa buzë liqenit ofron mundësi pa fund për aktivitete të ndryshme dhe stërvitje në natyrë. Sportet ujore, vrapi apo ecja në natyrë, yoga apo meditimi, të gjitha janë aktivitete që promovojnë shëndetin fizik dhe mendor. Mjedisi i gjelbëruar përreth i bën akoma më tërheqëse aktivitetet në natyrë dhe ofron një shtysë më shumë për të ndjekur një stil të shëndetshëm jetese, të fokusuar në qëndrimin sa më gjatë jashtë mureve të shtëpisë, që më pas përkthehet në ekspozim më të gjatë ndaj rrezeve të diellit dhe vitaminës D.

Ajri i pastër, aktiviteti fizik dhe niveli i reduktuar i stresit janë faktorë që kontribuojnë edhe në cilësinë e lartë të gjumit, gjë që është pohuar vazhdimisht nga personat që kanë zgjedhur të jetojnë buzë liqenit kudo nëpër botë.